Home » Analiza / Opinione » Zbatimi i rregullave të sigurimit teknik në punë.

Zbatimi i rregullave të sigurimit teknik në punë.

Ka kaq vite dhe pothuajse tema e sigurimit teknik në punë vetëm sa përmendet por kurrë nuk është marr seriozisht nga autoritetet përkatëse apo nga vetë punëdhënësit shqiptar.

Nga të dhënat në vite në Shqipëri ka shumë aksidente me pasoja për shëndetin ose vdekjeprurëse të ndodhura në fushën e ndërtimit .

Bile rasti me tragjik ka ndodhur në zemër të Tiranës ne restaurimin e International Hotel of Tirana ose “15 Katëshit” siç e quajnë ndryshe, apo gjatë rikonstruktimit të Shkollës së Mesme Profesionale në Tiranë te Qyteti i Nxënësve , ku humbën jetën dy të rinj që sipas pronarëve dhe inspektoriatit të punës sapo kishin filluar punën , e plotë raste të tjera që vazhdojnë të ndodhin siç është rasti i djeshëm ku dy punëtorë u aksidentuan rëndë pasi ranë nga skelat dhe do vazhdojnë nëse kjo çështje nuk merret seriozisht.

Shteti u heq liçensat e ushtrimit të aktivitetit në fushën e ndërtimit këtyre firmave që nuk përmbushin standartet e sigurisë teknike, por punimet vazhojnë dhe përveç emrit të ri të firmës asgjë nuk ndryshon.

Në kulturën e të punuarit në Shqipëri mjafton që punëtori të firmosë njëherë në muaj për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik , proçedurë që ndiqet nga inxhinieri i zbatimit të punimeve, mjafton që të kenë me vete kaskat mbrojtëse dhe ti vënë vetëm kur vjen për kontroll inpektoriati i punës apo grupet të hetimit tatimor.

Në vendet e zhvilluara siguria e jetës së njeriut është çështje themelore. Çdo firmë ndërtimi ka departament të mbrojtjes së ambjentit, shëndetit të punëtorëve dhe zbatimit të rregullave të sigurimit teknik në punë ( ndryshe  “Department of ES& H”). Është një strukturë e pavarur dhe ka për detyrë të kontrollojë terrenin në çdo moment që punohet, të monitorojë punëtorët dhe stafin drejtues, tu kërkojë llogari në zbatimin e rregullave biles të ndalojë punimet derisa kushtet të përmirësohen dhe mos të ketë asnjë rrezikshmëri për jetën e punëtorëve.

Punëtorët para se të hyjnë në kantjerin e ndërtimit duhet të familjarizohen me rregullat e sigurimit teknik në punë, me rregullat e sjelljes në punë , duhet të dinë rreziqet e punës dhe mënyrën e evitimit të tyre.Pa asnjë tolerim të gjithë që hyjnë në kantjer ndërtimi duhet të veshin kaskën mbrojtëse, jelekun fosforeshent, syzet mbrojtëse, dorezat  dhe këpucët e sigurisë.Në varësi të punës gjithkush që punon mbi 2 metra lartësi duhet të vesh rripin e sigurimit tip parashutë dhe ta fiksojë në pika të forta ose në litarë sigurie ,etj.

Mund tju duket çudi por një kaskë mbrojtëse i reziston materialeve deri në 4 kg të rënda që mund të bien mbi kokën e punëtorit.

Ajo që është dhe më shqetësuese është përdorimi i skelave jashtë standarteve. Në Shqipëri pothuajse asnjë firme nuk përdor skela të sigurta dhe me standarte. Ato që janë në përdorim këtu janë skela të nxjerra nga përdorimi në vendet perëndimore.

Në firmat tona të ndërtimit përfshirë dhe në ato që kanë inxhinierë të sigurisë teknike në punë, zbatimi me përpikmëri i rregullave lë për të dëshiruar.

Inspektoriati i punës kur shkon për inspektime thjesht bën proçesverbale formale sa për të justifikuar punën dhe veten para ligjit.

Punëdhënësit normalisht nuk i intereson të shpenzojë para ekstra për përmirësimin e kushteve të punës , një rrip sigurimi kushton 150 USD . Kush do donte të blinte për të gjithë punëtorët pajisje të tilla, apo skela të reja që janë shumë të kushtueshme.

Fatkeqësia më e madhe është se vetë punëtorët nuk janë të ndërgjegjshëm për rrezikshmërinë e punës, nuk e marrin fare seriozisht  jetën e tyre. Kjo vjen dhe nga gjëndja e vështirë ekonomike në të cilën ata ndodhen. Në mes tyre mund të ketë dhe të tillë që nuk u paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Për të gjitha këto probleme ka vetëm një përgjegjës që është shteti shqiptar.

Institucionet përkatëse nëse do bënin punën sipas ligjeve në fuqi dhe do zbatonin me përpikmëri çdo nen dhe pikë të këtyre ligjeve apo rregulloreve përkatëse asnjë punëdhënës nuk do guxonte ti shkelte rregullat e sigurimit teknik në punë, asnjë punëtor nuk do guxonte ti nënvlerësonte këto rregulla dhe për pasojë numri i aksidenteve në punë do reduktohej shumë.

government,politics news,politics news,politics