Home » Kryetitujt » Ligji për zhurmat, gjoba dhe pezullim aktiviteti për shkelësit

Ligji për zhurmat, gjoba dhe pezullim aktiviteti për shkelësit

Menaxherët e lokaleve të natës kërkojnë zgjidhje alternative nga shteti shqiptar

Të gjithë ata që prishin qetësinë e banorëve në zonat e banuara dhe turistike, apo ato ambiente që konsiderohen si burim zhurme, do të marrin masat përkatëse ndëshkimore, të cilat do të variojnë nga gjobat deri në pezullim të aktivitetit. Madje, tashmë me Vendim të Këshillit të Ministrave, në Fletoren Zyrtare ka hyrë në fuqi ligji nr.9774 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, i cili synon respektimin e normave të përcaktuara prej tyre, me qëllim ruajtjen e qetësisë së banorëve përreth. Ndonëse për këtë çështje ka kohë që po diskutohet, duket se kësaj radhe nuk do të ketë më shpëtim për lokalet që nuk respektojnë parametrat e përcaktuara me ligj nga shteti shqiptar. Ligji aktual parashikon marrjen e masave për monitorimin e situatës në qendrat urbane e turistike në vend, duke ushtruar kontroll në të gjitha veprimtaritë e subjekteve fizike dhe juridike, të cilat janë burim zhurme. Krahas kësaj, ligji parashikon njëkohësisht dhënien e lejeve për lokalet që do të respektojnë orarin e lejimit të ushtrimit të këtyre veprimtarive. E megjithatë, në ligj nuk lihen pa përmendur edhe masat ndëshkimore që do të merren në rast se do të konstatohet abuzim apo shkelje të tij. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, sepse menaxherët e lokaleve të natës në vendin tonë nuk janë plotësisht dakord me këtë ligj. “Nuk jam kundër vënies në zbatim të këtij ligji, por mendoj se edhe ne duhet të na dëgjohet zëri. Shteti nuk na ka dhënë asnjë zgjidhje alternative. Ai parashikon dhënien e gjobave ose pezullimin e aktivitetit në një kohë që ne kemi kërkuar të vijnë e të na i matin parametrat e zhurmës, nëse janë ose jo mbi normat e lejuara. Këtë për fat të keq nuk e kanë bërë. Atëherë me çfarë të drejte mund të vijnë e të na gjobisin”, tha menaxheri i një lokali nate në kryeqytet, E.G. Sipas tij, shteti duhet të jetë tolerant jo vetëm me ata që kanë pozitë, por edhe me ata që janë korrekt dhe paguajnë të gjitha taksat.

Oraret

Problematika e konstatuar vitet e fundit, por sidomos gjatë sezonit të verës, e shkaktuar nga lokalet dhe diskotekat, të cilat përveç problemeve shëndetësore që shkaktojnë, paraqesin shqetësim edhe për mjedisin në tërësi, ka ndikuar në miratimin e ligjit të hyrë pak ditë më parë në fuqi. Në të përcaktohen saktësisht oraret e funksionimit, të të gjitha subjekteve që gjenerojnë zhurmë dhe ndotje akustike, përtej normave të lejuara dhe konform standardeve të OBSH-së. Nisur nga kjo, me propozim të Ministrisë së Mjedisit, është vendosur që për ambientet e hapura, ditën e premte dhe të shtunë, orari i lejimit të aktivitetit të jetë nga ora 19.00-24.00, ndërsa gjatë ditëve të tjera të javës, nga ora 19.00-23.00, duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës të përcaktuara në ligjin nr.9774. “Për nivelet kufi të zhurmave në mjedise të caktuara”. Ndërsa për ambientet e mbyllura do lejohet ushtrimi i aktivitetit pa kufizime orari, por duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës së përcaktuar.

Masat

Që me hyrjen në fuqi të këtij ligji, lokalet e natës duhet të mendohen mirë, pasi ndëshkimet për ndotjen akustike do të jenë në shifra marramendëse. Ndryshe nga përvojat e kaluara, kësaj radhe qeveria ka vendosur të mos ketë asnjë tolerim për subjektet që nuk respektojnë ligjin “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”. Masat do të jenë të ndryshme në varësi të shkeljes. Ato do të variojnë nga gjoba që mbajnë vlerën 2 milionë lekë të reja deri në pezullim të aktivitetit.
Aksioni për monitorimin dhe kontrollin e vazhdueshëm të lokaleve të natës në vend do të përfshijë mbështetjen e një sërë institucionesh, të cilat do të ndihmojnë në evidentimin e rasteve që nuk e zbatojnë me përpikmëri ligjin, por edhe deri në mbyllje të aktivitetit për subjektin që i shkakton ato. Për monitorimin e zbatimit të normave kufi të zhurmës, Inspektorati i Mjedisit dhe Agjencia Rajonale e Mjedisit në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe me mbështetjen e vazhdueshme të strukturave të Policisë së Shtetit do të kryejnë matjet dhe vlerësimin e nivelit të zhurmës.

Per te gjitha rastet qe do te konstatohet shkelja e dispozitave te ligjit Per mbrojtjen e mjedisit, ligjit Per vleresimin dhe administrimin e zhurmes ne mjedis dhe VKM Per monitorimin dhe kontrollin e nivelit te zhurmave ne qendrat urbane dhe turistike, do te merren masat administrative, denim me gjobe deri ne 2 000 000 leke (te reja) dhe pezullim te aktivitetit gjenerues te ndotjes akustike.

government,politics news,politics news,politics