Sanxhak: Kërkohet mision ndërkombëtar
Kuvendi Nacional Boshnjak (KNB) në Novi Pazar ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dërgimin e një misioni vëzhgues në rajonin e Sanxhakut.
KNB në një letër drejtuar përfaqësues së lartë të BE-së për politikë të jashtme, Ketrin Eshton ka apeluar për dërgimin e misionit ndërkombëtar në Novi Pazar.
Ky kuvend ka shprehur shqetësime lidhur me diskriminimin e hapur dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në baza etnike dhe fetare.
Reagimi i këtij trupi politik ka pasuar pas incidentit të ditës së shtunë, kur krerët fetar dhe besimtarët mysliman u ndeshën me policinë në tentimin e tyre për të penguar ndërtimin e një kopshti fëmijësh në një lokacion të konsideruar si pronë e Bashkësisë Fetare Islame.
Samir Tandir nga KNB ka kërkuar që misioni i huaj të vëzhgojë situatën dhe të nxis një dialog të mirëfilltë politik për zgjidhjen e problemeve në këtë krahinë të Serbisë të banuar me mysliman dhe boshnjak.
KNB i themeluar në fillim të muajit korrik është konsideruar si një trup ilegal nga ana e institucioneve qeveritare të Serbisë.
Policia serbe mbrëmë ka arrestuar disa persona, të cilët konsiderohen si pjesëmarrës në trazirat e fundjavës së kaluar. Në këtë rajon janë shtuar forcat policore serbe, ndërsa banorët lokal kanë shprehur shqetësimet për tensione të reja. (INA)












