Dimë të hamë por jo të ushqehemi!

Home » Analiza / Opinione » Dimë të hamë por jo të ushqehemi!

By Gazeta Jone on 15/10/2011.

Nga: Hysni Gurra

Sipas një lajmi të ditëve të fundit, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, një strukturë e re krijuar së fundmi në Ministrinë e Bujqësisë, ka konstatuar shkelje të rënda në 10 fitofarmaci në të gjithë vendin për tregtim farërash, kimikatesh dhe pesticidesh jashtë standardeve.

 

Para viteve 90-të bujqësia ka qenë një sektor i rëndësishëm dhe primar për ekonominë e Shqipërisë, kjo për shkak të pozitës gjeografike dhe pamundësisë për të qenë një vend i industrializuar për shkaqe nga më të ndryshmet.

 

Produktet Made in Albania kanë qenë shumë të preferuara dhe zinin një vend të rëndësishëm në tregjet evropiane sepse pamundësia e industrializimit dhe të qenit të izoluar e bënin Shqipërinë një prodhues produktesh BIO, dhe e theksoj këtë fakt, duke qenë se është edhe arsyeja e këtij shkrimi.

 

Pra deri në vitet 90-të ne kemi qenë një vend me prodhime bujqësore organike. Kjo për  faktin se në fermat e viteve të para të kolektivizimit dhe më pas në kooperativat bujqësore nuk përdoreshin aspak ose shumë pak plehra kimike, pesticide etj. Por edhe me ngritjen e fabrikave të prodhimit të kimikateve dhe pesticideve në vendin tonë, si azotiku i Fierit, ai i Laçit etj., sërish përdorimi i kimikateve në bujqësi bëhej në mënyrë të kontrolluar e në respekt me normat e lejuara të përdorimit të tyre, duke ruajtur kështu një harmoni të plotë me mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

 

Me ndryshimet pozitive politike të viteve 90-te pati edhe shumë ndryshime negative dhe jashtëzakonisht shkatërruese për sektorin bujqësor: u shkatërruan sipërfaqe të konsiderueshme vreshtash, plantacione pemëtari, ullishta, agrume etj. etj. Filloi të humbasë pak nga pak shija e produkteve tona që kishin qenë aq të këndshme dhe të freskëta. Edhe fermeri shqiptar filloi të fusë teknologji të reja në bujqësi, filloi të përdorë plehra kimike, pesticide, farëra të importuara nga jashtë dhe kështu bujqësia jonë po konvencionalizohej dhe po humbiste shijen e saj organike.

 

Me ketë nuk dua të them se unë jam kundër përdorimit të këtyre inputeve në bujqësinë tonë, absolutisht jo. Është diçka shumë e mirë që ato janë futur dhe i kanë dhënë një dimension të ri bujqësisë shqiptare, duke e kthyer atë në kontribuesin kryesor në PBB-në e ekonomisë tonë, por problemi im dhe i të gjithë konsumatorëve, besoj është nga sa do të them më poshtë.

 

Sot në fermat bujqësore shqiptare po kryhet një masakër e vërtet afat shkurtër dhe afat gjatë njëkohësisht. Po përdoren mbidoza të konsiderueshme kimikatesh në sera, ku çdo dy-tre ditë në perimet apo prodhime të ndryshme hidhen sasi të jashtëzakonshme plehrash dhe pesticidesh. Sera është kthyer në një “reanimacion” ku përdoren serume  tre – katër herë në ditë.

 

Duke e njohur sektorin e bujqësisë, mund të them me përgjegjësi të plotë se bima nuk merr kurrë ushqim më shumë se sa i duhet (është më inteligjente se njeriu). Pjesa e tepërt që i hedhin fermerët nga mania për të marrë më shumë prodhim shkon në dëmin tonë shëndetësor direkt dhe ambiental indirekt. Pra, një pjesë e kimikateve shkon për ushqimin e bimës, pjesa e pa nevojshme shkon në ndotjen e ujërave nëntokësore, një pjesë çlirohet në atmosferë dhe një pjesë tjetër në mënyre direkte akumulohet në fruta të cilat pas vjeljes janë ushqimi ynë i preferuar. Konsumatori shqiptar sot mund të blejë fruta, perime, ushqime blegtorale kudo nëpër trotuare. Në mes të dyoksidit të karbonit të marmitës së një makine, sheh qytetare që mundohen të zgjedhin perimet e tyre. Më tutje shkon në një furrë buke dhe buka të serviret me një qese plastike, pavarësisht se ligjërisht kjo gjë nuk lejohet më. Mund të numërojmë me qindra raste denoncimesh për abuzime me vajin e ulliri që ambalazhohet bukur si prodhim BIO, po ashtu mjalti, duke kaluar më keq akoma në plot raste abuzive me ngjyrues sintetikë të bukës për ta bërë atë të zezë e plot raste të tilla që nuk kanë të sosur.

 

Tani për të ardhur tek rasti për të cilin nisa të shkruaj, do të thoja se është e pamundur që drejtoria e AKU-së në të gjitha kontrollet e ushtruar të ketë konstatuar vetëm 10 raste shkeljesh, ndërkohë që në vendin tonë ka me mijëra raste flagrante shkeljesh nga minifitofarmacitë dhe deri tek grosistët e mëdhenj të cilëve AKU nuk mund t’u afrohet dhe jo më të penalizojë shkeljet e tyre për shkak të lidhjeve politikë-biznes që ata kanë.

 

Mund t’u rendis me qindra raste shkeljesh duke nisur nga mos respektimi i ambienteve të magazinimit të kimikateve dhe pesticideve për distancën nga qendrat e banuara, futja e inputeve të palejuara nga standardet e Bashkimit Evropian dhe ndër më kryesoret data e skadencave të kamufluara, të cilat pa të keq u shiten fermerëve shqiptarë si “sapuni për djathë” duke shfrytëzuar mungesën e informacionit për ti konstatuar këto shkelje dhe pamundësinë për tu ankuar në instancat përkatëse. Unë personalisht kam konstatuar një rast kur një fermer kishte blerë një pesticid për mbrojtjen e bimëve, ku mbi datën e kadencës, që kishte ekzaktësisht një vit që kishte kaluar, ishte vendosur një tjetër datë skadence fallco. Pasojat negative të këtij mashtrimi janë të kuptueshme pastaj për këdo.

 

Puna e institucioneve të lart përmendura nuk duhet të jetë vetëm bërja e një inspektimi që përben lajm për të rënë në sy të eprorëve të tyre, por duhet të nisë që nga marrja në punë e specialistëve të mirëfilltë dhe jo të punësohen njerëz të paaftë politikë siç po bën kjo strukturë e re deri më tani (ku për te hyrë në punë në ketë institucion duhet të kalosh qindra filtra politike). Duhet që çdo produkt bujqësor të jetë i pajisur me një çertifikatë në të cilën të përmbahen me detaje norma e përdorur e kimikateve dhe pesticideve, kontrolli i rreptë i tyre para daljes në treg dhe moslejimi i shitjes së tyre në asnjë mënyrë në pluhurin e trotuareve dhe dioksidit të karbonit të makinave.

 

Unë e them me bindje të plotë se konsumatori shqiptar është duke ngrënë domate të skuqura nga hormone që janë jashtë zakonisht të dëmshme për shëndetin e njeriut. Konsumatori shqiptar sot po konsumon produkte bujqësore, karenca e të cilëve nuk po respektohet (karenca është periudha e kohës që  i duhet një produkti bujqësor për tu konsumuar pasi në të janë përdorur pesticide apo hormone, periudhë kohe kjo që varion nga 8-20 ditë sipas llojeve të ndryshme të pesticideve dhe rrezikshmërisë së tyre). Ne sot po hamë produkte të cilat vetëm një ditë ose dy para vjeljes janë trajtuar me hormone dhe pesticide. Konsumatori shqiptar sot nuk ka një treg të shitjes së produkteve BIO, që për hir të së vërtetës në vendet evropiane dhe më gjere janë shumë më të shtrenjta se produktet e tjera për shkak të rëndësisë së tyre pozitive në shëndetin e njeriut.

 

Inputet organike (të pakta) që tregtohen sot në vendin tonë, janë duke u përballur me një konkurrencë jashtëzakonisht të pandershme të inputeve kimike dhe taksimi i tyre, është një lloj me kimikatet, ndërkohë që dihet efekti shumë pozitiv i tyre në mjedis dhe të ushqyerit e shëndetshëm të njeriut.

 

Me plot bindje e them se  problemet për këtë temë janë jashtëzakonisht imediate për tu diskutuar, sepse kanë ndikim direkt në shëndetin tonë dhe në mjedisin që na rrethon, ashtu sikurse janë antenat e rrjeteve të ndryshme të komunikacionit mbi pallate, qeset plastike që për dite e më shumë po na ngrënë barrikada në rrugë, plazh, parqe etj. Po kaq i rëndësishme është edhe ushqimi i shëndetshëm për njeriun që para se të dalë nga dera e shtëpisë ha bukë, perime, fruta të cilat për fat të keq nuk po na ushqejnë më, por po na vrasin dalëngadalë.

 

Ky është një problem imediat për këdo qënie të gjallë dhe të ndërgjegjshme që do të ushqehet, e jo thjeshtë të hajë për të mbushur barkun.

government,politics news,politics news,politics