Edukata fetare në sistemin arsimor parauniversitar
E pranojmë apo jo feja ka qenë, është dhe do të jetë një nga elementët më esencialë në jetën njerëzore. Ajo bazohet në themelet e vendosjes së besimit se një Qenie e Plotfuqishme dhe e Gjithëditur kontrollon, ndjek dhe njehçdo nevojë dhe objektiv të krijesave. Mbi të gjitha ky besim është më se i natyrshëm për natyrën njerëzore dhe prehet pikërisht në ndërgjegjen e saj. Në shoqërinë tonë dhe në gjysmën e botës që i hapi luftë mendimit fetar, privimi nga besimi solli, të paktën për gjysmë shekulli, veçse rrënim dhe mizori. Kështu kushtimisht është e nevojshme që shoqërisë, jo thjesht të mos i ndalohet, por t’i ofrohet mundësia të informohet për parimet bazë të besimit fetar.
Nëse do ta marrim të mirëqenë idenë se rinia është e ardhmja e një kombi, edukata fetare, shumica e normave dhe vlerave të së cilës janë tashmë botërisht të pranuara si vlera universale, ofron një infrastrukturë shumë të rëndësishme morale për rininë tonë. Për më tepër, duke u vlerësuar për qenësinë e tyre hyjnore, këto vlera kanë një mundësi ndikimi dhe implementimi më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm në shoqëri. Është qartësisht i verifikueshëm fakti që edukimi fetar ka mundësi të parandalojë, ose së paku, të zbusë një sërë vesesh dhe efektesh negative të shoqërisë në çdo kohë. Nga ky gjykim rrjedh edhe kërkesa e natyrshme e komuniteteve fetare në vend, që kultura apo edukata fetare të përfshihet si lëndë (së paku me zgjedhje) në sistemin arsimor parauniversitar publik.
E përse parimet e larta fetare mos të bëhen pjesë integrale e programeve mësimore, përderisa synojnë të kontribuojnë në zhvillimin njerëzor dhe edukativ të tërinjve? Edukata fetare i aftëson ata të zhvillojnë ndjenjat pozitive e humane, të kuptojnëtë besuarit në Zot, të jenë të moralshëm e të dobishëm, të rrisin ndërgjegjësimin dhe vetëdijen e veprimtarisë së tyre. Përpara se të paragjykojmë e ta anashkalojmë çështjen me inercinë e qëndrimevepro e kundër, duke u strehuar në të famshmin laicitet, që fatkeqësisht ndonjëherë perceptohet gabimisht si ateizëm, mendoj që duhet ta trajtojmë çështjen me seriozitetin e duhur në kontekstin e dobisë që ka lënda e fesë në sistemin arsimor, apo edhe të dëmeve që personalisht nuk mendoj të ketë.
Nëse futja nëkurrikulat arsimore e edukatës fetare cenon laicitetin e shtetit,i bie qëshumica e shteteve më të zhvilluara të Evropës të jenë kthyer tashmë në shtete fetare, meqenëse e kanë implementuar me kohë kulturën fetare në shkolla. Në fund të fundit, përsëri janë institucionet shtetërore ato që e miratojnë programin arsimor, qoftë edhe lëndët fetare, kështu që nuk kemi të bëjmë me cenim të laicitetit të shtetit. Komunitetet fetare kanë të drejtën të paraqesin kërkesat e tyre si grupe interesi, por edhe si shoqëri civile që mendojnë për nevojat dhe të ardhmen e shoqërisë sonë.
Veç kësaj, a mos vallë laicitet do të thotë ateizëm dhe ky qenka në përputhje me shkencën. Nuk duhet të harrojmë se, vendi ynë i provoi në kurrizin e vet shumë rëndë pasojat e ateizmit dhe materializmit, që në abuzim të plotë u njësuan me emrin e shkencës dhe kulturës.
Deri dje në auditorët e shkollave në emër të shkencës, nxënësve iu imponuan teori të pa vërtetueshme, e madje shkatërruese, vetëm materialiste, pa u vënë fare në peshoren e arsyes, logjikës dhe vetëdijes. Prandaj në vend të formimit të brezave që të jenë të aftë të mendojnë lirisht dhe të respektojnë mendimin e lirë, sistemi armik i shpirtërores ia la vendin konfliktit që buroi nga injoranca, nga ambicia për privilegje, nga interesatmeskine të individëve dhe grupeve të ndryshme, mizori këto që njeriu i virtytshëm e me besim nuk i miraton. Por ç’është e drejta kjo qasje e sotme postkomuniste, diku e ftohtë e diku armiqësore ndaj fesë, i ka rrënjët pikërisht aty tek arsimimi i djeshëm përjashtues. Personalisht mendoj që shumë vlera që ky popull ika ruajtur edhe në periudhën e komunizmit, janë ato norma me burim fetar e besimor që edhe ai sistem mizor nuk mundi t’i shkulë nga shpirti i shoqërisë. Ndërsa problemet dhe braktisja e një pjese të mirë të këtyre vlerave në kohën tonë nuk janë kurrsesi me burim demokracie, por janë trajtimi i të sotmes me mentalitetin e të djeshmes, tingëllojnë si fjalë shpirtërore nga mendje materialiste, duken si aparenca integrimi me ëndrra marksiste.
Edukata fetare ka qenë pjesë integrale e sistemit arsimor edhe në kohën e Mbretërisë. Mbreti Zog lejoi që në arsimin publik nxënësit të pajiseshin edhe me edukatë fetare. Sistemi komunist e ndaloi atë dhe fatkeqësisht, megjithëse kapitulloi vetë, ai sistem la gjurmë të pashlyera në mentalitetin e shumë njerëzve që u rritën me mësimet e tij.
Mendoj se është për t’u marrë në konsideratë fakti që gjatë gjysmëshekullit të kaluar vendet e Evropës Lindore që u treguan më të ashpër dhe përjashtues ndaj fesë, ngelën shumë mbrapa edhe në politikë, kulturë, teknologji ekonomi etj. Ndërsa perëndimi, me në krye SHBA, që besimin në Zot e shprehu deri në zemër të materiales, të shkruar mbi dollar, mori frymë më lirisht edhe në “fakultetet” e tjera të jetës.
Megjithëse falë Zotit janë pak, disa mbrojnë idenë se feja është diçka e vjetër dhe nuk përputhet me nevojat e kohës. Por nuk duhet harruar se besimi dhe morali fetar janë ushqimi i shpirtit, sikurse buka dhe uji janë ushqimi i trupit. Sado kohë të kalojë, ushqimet, frutat e perimet, përderisa të ngelen të nevojshme për trupin asnjëherë nuk do të mund të trajtohen si të vjetruara. Në rast se ne në emër të laicitetit, dua ta theksoj që kjo s’ka të bëjë fare me cenimin e tij, ua privojmë të rinjve të interesuar të drejtën e informimit mbi edukatën dhe kulturën fetare, ata, për ta plotësuar kureshtjen e tyre, do të orvaten të gjejnë rrugë të tjera, që mund të jenë me burime të pakontrolluara edizinformuese.
Ne nuk duhet të harrojmë që çështjet fetare e ruajnë gjithmonë aktualitetin dhe ndikimin e tyre për shkak edhe të fushës së interesit dhe studimit të tyre. Feja, e meqë i përkas besimit Islam, konkretisht Islami, më së shumti merret me çështje të pandryshueshme të jetës. Besimi në Zot, profetët, jeta e përtejme, librat e shenjtë, engjëjt dhe përcaktimi hyjnor janë të lidhura përherë me njeriun dhe shoqërinë, prandaj ato janë të rëndësishme dhe të nevojshme për njeriun në çdo kohë dhe rrethanë.
Si përfundim, mund të them se ashtu sikurse pushteti ka një rol të pamohueshëm në zbatimin e ligjit dhe normave shoqërore, gjithashtu edhe rëndësia e fesë në këtë fushë është e pamohueshme. Natyra njerëzore gjithmonë tenton t’i shmanget ligjit dhe detyrimit që ka, e ndërsa e ka shumë të vështirë t’i shmanget përgjegjësisë me vetëdijen se po mbikëqyret nga Zoti dhe do të gjykohet për të gjitha veprat e tij. Këtë edukim nuk besoj se ka ndonjë sistem njerëzor që mund ta realizojë më mirë se edukata fetare. Prandaj përderisa vendet më të zhvilluara se ne e kanë në sistemin e tyre arsimor lëndën e njohurive apo edukatës fetare, psetë mos ua mundësojmë edhe ne të rinjve këtë kërkesë, që edhe po të mbyllim sytë kam bindjen se do të mbetet përsëri nevojë për shoqërinë tonë.
(Revista Drita Islame)













