Berisha: Janë ndërtuar 46 hidrocentrale të reja
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha deklaroi të shtunën se çmimi i energjisë elektrike do të pësojë një ulje të ndjeshme nga ndërtimi i 100 hidrocentraleve të reja në vend. Shefi i qeverisë inspektoi dje hidrocentralin e Ashtës, një ndër veprat më të mëdha të energjisë hidrike, që po ndërtohet në zonën e Bushatit në Shkodër me një investim prej 200 milionë eurosh të kompanive austriake. Gjithashtu Berisha asistoi dhe në vënien për herë të parë në punë të turbinave hydromatrix të HEC-it “Ashta 1”, që tashmë ka nisur testimet për prodhimin e energjisë. Kryeministri theksoi se prodhimi i energjisë hidrike do të krijojë kushtet për çmim të ulët të energjisë dhe vende të reja pune. “Së pari, prodhimin e një energjie me çmime të leverdishme për qytetarët shqiptarë, duke shndërruar në vlerë energjetike ujërat e vendit, të cilat derdhen të fjetura në det. Energjia përbën një problem madhor në mbarë botën. Çmimet e saj janë dhe vazhdojnë të rriten në mënyrë të pandërprerë. Në procesin e ndërtimit të këtyre hidrocentraleve punësohen dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë. Së treti, ndërtimi i tyre ka një efekt direkt në balancën e pagesave, raportet e eksport-import, shumë të rëndësishme këto për zhvillimin ekonomik”, deklaroi Berisha. Për arritjen e këtij qëllimi, shfrytëzimi i burimeve ujore të vendit, në vlerësimin e kryeministrit, mbetet ndër drejtimet kryesore dhe deri tani janë ndërtuar e rindërtuar 46 HEC-e dhe 100 të tjera janë në ndërtim, me një vlerë totale prej 2.5 miliardë eurosh.












