Mosmarrëveshje në Asamblenë e FRESSH
Kryetarja e FRESSH Elisa Spiropali, e zgjedhur nga Kongresi i këtij forumi në datë 12 qershor në këtë post, braktisi sot pasdite mbledhjen e Asamblesë së FRESSH pas disa debatesh dhe mosmarrëveshjesh të shkaktuara nga ndryshimet e papritura në listat e delegateve dhe të anëtarëve të Asamblesë. Mësohet se në listat e të deleguarëve të forumit në rrethe për Asamblenë janë konstatuar gabime. Burime nga mbledhja bënë të ditur se sekretari për rinine në PS, Erjon Veliaj kishte ndryshuar listën e pjesëmarrësve në Asamble, duke hequr prej saj një grup anëtarësh, mbështetës të Spiropalit. E gjendur përballë këtij fakti dhe daljes nga salla të shumë anëtarëve të zgjedhur të Asamblesë, kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali ka braktisur mbledhjen. Mësohet se pas përfundimit të mbledhjes së asamblesë së FRESSH, kryetari i PS, Edi Rama është drejtuar në selinë e PS, ku dhe ka kërcënuar me përjashtim drejtuesit e FRESSH në rrethe. Kryetarja Elisa Spiropali, e kontaktuar nga abc neës tha jashtë kameras se ajo si kryetare e Forumit nuk e legjitimon mbledhjen e sotme të Asamblesë së FRESSH.












