Maradona tjetër me origjinë turke

Tatuazhet, vathi në vesh dhe modeli i flokëve: Abi Atici prej më shumë se 20 vjetësh është kopja e “Pibe de Oro”. Shkon nëpër televizione dhe merr pjesë nëpër festa VIP

E ecura, tatuazhet, vathi në vesh, modeli i flokëve, kostumi gri, madje edhe mjekra janë saktësisht të njëjtat. Vetëm theksi, dhe mbi të gjitha kurrikulumi futbollistik e tradhtojnë dhe bëjnë që të dallohet nga Maradona i vërtetë: njëri ka luajtur me Boca Juniors, Barcelonën dhe Napolin, ndërsa tjetri nuk ka shkuar më larg se TKSV Geislingen e Spvgg Reichenbach dhe ky është Abdulkadir Geylan Ceglani Atici, i njohur ndryshe si Abi Atici. Por pavarësisht se nuk ka qenë pjesë e skuadrave të futbollit që kanë bërë historinë, Abi Atici nuk dekurajohet, madje prej më shumë se 20 vjetësh është kopja perfekte e Diego Armando Maradonas. “Nuk ka rëndësi nëse njerëzit besojnë që unë jam ose jo Maradona”, ka thënë ai. “Unë ndihem mirë për të gjithë njerëzit që e besojnë, ndërsa ata që e kuptojnë bëjnë thjesht një foto dhe e vendosin në ‘Facebook’”. Por pavarësisht të gjithave, ai beson shumë te vetja: “Çdo ditë kur shihem në pasqyrë, shoh Diegon”. Të njëjtën gjë mendojnë edhe ata që e takojnë në rrugë dhe ngatërrojnë me Maradonën, siç ndodhi për shembull në muajin nëntor kur Abi u shfaq papritur në Munih për ndeshjen e “Ligës së Kampionëve” mes skuadrës së Bajernit dhe Napolit, duke i lënë gojëhapur tifozët, të cilët nuk ngurruan të bënin fotografi pranë tij dhe t’i merrnin autografe. “Abi”, një gjerman me origjinë turke, 47 vjeç (pesë vjet më i vogël se Diego i vërtetë), është mësuar me të tilla situata. Kur ndodh, apo kur është e nevojshme, merr bllokun dhe firmos me emrin e Maradonës. Ka mësuar madje edhe kaligrafinë e idhullit të tij duke e kopjuar. Dhe jo vetëm kaq: ka mësuar të pijë cigare, të kryqëzojë krahët si ai, të ecë njësoj si Diego, të bëjë të njëjtat veprime, ka bërë tatuazh fytyrën e Çe Guevarës, Fidel Kastros dhe emrat e fëmijëve të tij, njërin prej të cilëve e ka pagëzuar Diego. Kur Maradona i ngjyrosi flokët të verdhë, edhe Abi Varpoi për te berberi; kur Maradona u divorcua nga Claudia Villafañe, edhe Abi mendoi se kishte ardhur momenti që të ndahej nga e shoqja, duke qenë se roli i tij si kopjues i përkryer nuk duhet të çalojë askund.

Vetëm eksperiencat me drogën dhe problemet e peshës Abi ka preferuar të jetë vetvetja. Në këtë rast vlen të përmenden edhe ngjashmëritë e pashpjegueshme të dy personazheve: Maradona i vërtetë dhe sozia e tij kanë pësuar një infarkt në të njëjtën periudhë; një herë Abi u detyrua të përdorte paterica për shkak të operacionit në gju; pak kohë më vonë “Pibe de Oro” mbeti i plagosur në një aksident dhe iu desh të ecte me paterica.

Ndërkohë, Abi merr pjesë nëpër ndeshje bamirësie, shfaqet herë pas here në televizion dhe ndonjëherë përfundon papritur nëpër festat e VIP-ave të vërtetë: tenisti Boris Becker e ka ftuar në martesën e tij të fundit. Për ngjarjet e mëdha merr me vete  gjithmonë një truprojë, sepse kurrë nuk i dihet se çfarë ndodh. Diegoja i vërtetë dhe imituesi i tij janë takuar vetëm një herë, në një fushë golfi në Kubë. Në atë kohë Maradona po kalonte një nga periudhat më të këqija të jetës së tij. “Kur më pa, sytë iu mbushën me lot, sepse tek unë pa veten në moshë më të re. Po ta kujtosh është diçka që të këput shpirtin”, kujton Abi.

government,politics news,politics news,politics

Comments are closed

Photo Gallery

Log in | Designed and Powered by bisudio.al
WP-Backgrounds Lite by InoPlugs Web Design and Juwelier Schönmann 1010 Wien