Shkarkimi i Kreut të SHISH, SHBA: Vendim i shpejtë dhe i papritur
Lajmi i zëvendësimit të kreut të SHISH duket se nuk është pritur mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Burime nga ambasada amerikane në Tiranë bëjnë të ditur për Ora News se SHBA është e befasuar nga ky dekretim kaq i shpejtë dhe i papritur nga ana e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.
Shtetet e Bashkuara te Amerikes nuk jane vene ne dijeni me pare dhe as nuk jane informuar zyrtarisht per shkarkimin e zotit. Shaqiri. SHBA jane te befasuara nga ky vendim kaq i shpejte dhe i papritur.
Ish kreu i SHISH, i shkarkuar me vendim të Kryeministrit Berisha ka qënë njeriu që ka gëzuar mbështetje nga ana e SHBA. Në vitin 2009 qeveria Berisha ndërmori disa ndryshime në ligjin e SHISH, ku kreut të shërbimit sekret i vendosej një mandat kohor në ushtrimin e detyrës.
Përcaktimi kohor në propozimet e reja të qeverisë ndeshën në kundërshtimin publik të Ambasadorit të asaj kohe, John Withers, i cili në 12 mars të vitit 2010 ka bërë këtë deklaratë.
“Eshte me rendesi jetike qe Sherbimi Informativ i Shqiperise te mbetet profesional, i pavarur dhe i lire nga te gjitha nderhyrjet politike. Jemi te shqetesuar qe projektligji i minon keto parime.
Ky projektligj i ngarkon pergjegjesi te reja brenda vendit Sherbimit Informativ te vendit, te cilat jane shqetesuese. Nxisim me force qe eksperte ligjore nderkombetare te lejohen te kryejne nje rishikim te gjithanshem te projektligjit perpara se Parlamenti te ndermarre ndonje veprim te metejshem.
Eshte e domosdoshme qe cfaredo projektligji i tille te permbushe standardet nderkombetare ne perputhje me detyrimet euro-atlantike te Shqiperise” ka deklaruar Withers në 12 mars 2010.
Falë kësaj ndërhyrje disa deputetë të shumicës së asaj kohe nuk ia dhanë mbështetjen ligjit, duke e lënë atë në sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë.
Pas marrjes së detyrës në telegramin e urimit që Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, i dërgoi Kreut të ri të Shtetit, Bujar Nishani, theksohej rëndësia e Presidentit te ri ne ruajtjen e pavaresise se institucioneve, midis të cilëve edhe për Shërbimin Informativ Shtetëror.












