Banka Qendrore e Austrisë ka bërë një vrojtim të thelluar të tregut të pasurive të paluajtshme në Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor.

Sipas institucionit monetar, ekonomia shqiptare është më e varura nga sektori i ndërtimit. Në 2022-in vlera e shtuar e ndërtimit në PBB ishte 12%, dy herë më e lartë se mesatarja në shtetet e Evropës Juglindore.

Pas nesh vjen Kosova me gati 11%.

Gjithashtu, Shqipëria kryeson renditjen për investimin në banesa (matur si shpenzimet e formimit të kapitalit bruto), në masën 12% të PBB-së, gjë që tregon se banesat shihen si një formë investimi me kthime të shpejta kundrejt mungesës së zhvillimit të tregjeve të kapitalit.

Por me çfarë financohet tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri? Institucioni austriak vëren se kredia e marrë për blerje banese është gati katër herë më ulët se vendet e Europës Juglindore, por fenomeni është i shpërndarë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Banka Austriake vëren se një burim i rëndësishëm financimi janë pikërisht remitancat nga diaspora.

Sa i përket çmimeve Shqipëria rezulton me rritjen më të fortë që nga 2019-ta me 90% sipas indeksit fischer të Bankës së Shqipërisë. Në Serbi rritja ishte me 58%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut me rreth 40%.

Nga një anketim kryer nga BQA, shumica e familjeve shqiptare presin që çmimet e pronave të rriten më tej. Pritjet për çmimin e banesave thekson anketimi janë të ndërlidhura me aktivitetin ekonomik si dhe me pritjet inflacioniste. Banka Austriake sugjeron se vendimmarrësit e politikës monetare duhet ta kenë në fokusin e punës së tyre indikatorin e çmimit të shtëpive, për shkak të peshës së rëndësishme në ekonomi.

Një tjetër fenomen i vërejtur është se ndërtimi në Shqipëri punëson rreth 7% të gjithë forcës punëtore, duke treguar në këtë aspekt se nuk luan një peshë domethënëse në tregun e punës, rrjedhimisht më pak kontribut në ekonominë reale.