Reality-show – “Big Brother Albania” pas katër vitesh u rikthye në një format krejtësisht tjetër nga ai që ishim mësuar ta shihnim për nëntë sezone radhazi. Më 5 tetor të vitit që lamë pas, u prezantuan 14 banorët e shtëpisë të cilët ishin fytyra të njohura për publikun.

Pak para nisjes së formatit, u aluduan emra të shumtë nëpër media rozë e rrjete sociale si banorë të mundshëm, madje në dilemë ishte edhe prezantuesja e këtij reality-show.

Banorët ishin njoftuar se çmimi i madh do të jetë 100 mijë euro dhe se finalja do të mbahej më 18 janar, por që gjërat filluan të ndryshonin më kalimin e ditëve, çmimi i madh u rrit dhe nata e finales u shty për edhe një muaj, shkruan Gazeta Express.

Deri tani në shtëpi kanë hyrë gjithsej 30 banorë, por që në finale arritën tre banorët që ishin nga dita e parë: Modelja Beniada Nishani, aktori Donald Veshaj, balerini Ilir Shaqiri dhe moderatorja, Einxhel Shkira që hyri tri javë pas fillimit të programit.

Që nga java e parë në shtëpi filluan debatet mes banorëve, por se protagonist të këtyre debateve ishin pothuajse gjithmonë Iliri dhe Donaldi.

Pas pak javë në shtëpi filluan të krijoheshin “grupet”, ata të cilët rrinin me Donaldin dhe ata me Ilirin. Por, që me aktivitetet e “Vëllait të madh” banorët sërish ishin të bashkuar.

Para pak javësh, në njërën natë të spektaklit, moderatorja Arbana Osmani u shpreh se kryefjala e këtij “Big Brother VIP” është Donaldi.

Përmendim disa ngjarje të cilat i karakterizuan banorët gjatë këtij sezoni prej 137 ditësh.

Beniada është personi më i dashur i banorëve në shtëpi. Nga hyrja aty, modelja ka krijuar atmosferë pozitive. Ajo nuk ka hezituar të tregojë ngjarje nga jeta e saj, duke u afruar kështu edhe më shumë me banorët dhe publikun.

Beniada në shtëpi njihet edhe për vështirësinë që ka në shqiptimin e fjalëve në gjuhën shqipe. Të shpeshta janë rastet kur ajo ka ngatërruar fjalët e emrat.

Shprehjet si “O përfum, përfumi im”, shqiptimi i emrit të këngëtarit Yll Limani, në Ydhi Dhimani e emri i këngëtarit Butrint Imeri në Betrint, Betrunt, Betrant, janë disa prej momenteve më qersharake të Beniadës në shtëpi e që janë bërë virale në rrjete sociale.

Beniada nuk është përfshirë shumë në debate me banorët tjerë, duke ruajtur kështu raporte të mira me pothuajse të gjithë.

Donaldi njihet për debate të ashpra brenda shtëpisë së Big Brother VIP. Shumicën e kohës ai është përplasur me Ilirin, madje ka pasur ditë që nuk kanë folur fare me njëri-tjetrin.

Por, nuk ka qenë vetëm Iliri ai me të cilin Donaldi nuk është pajtuar brenda shtëpisë. Banori nga Korça ka pasur debate të nxehta edhe me Einxhel dhe Arjolën.

Përveç ngjarjeve brenda shtëpisë, Donaldi është komentuar shumë edhe për lidhjen me moderatoren Bora Zemani. E hyrja e kësaj të fundit në shtëpi gjatë një nate të spektaklit, iu dha zjarr edhe më shumë diskutimeve.

Ani se ishin tashmë të ndarë, Donaldi puthi Borën kur ajo hyri në shtëpi. Puthja e tyre shtoi kureshtjen nëse çifti do të ribashkohej. Video e momentit të puthjes u shndërrua në momentin më të përfolur e më të shikuar që prej fillimit të BBV.

Rreth një muaj më pas, Donaldi hoqi një qafore nga qafa e tij, dhe e hodhi jashtë rrethojave të shtëpisë, duke i kërkuar produksionit t’ia dërgojë Borës, për përvjetorin e tyre.

Dy javë pas kësaj, Donaldi i lidh me banoren Beatrix Ramosaj. Lidhja e tyre u bë kryetemë në mediat rozë.

Të shumta ishin kritikat ndaj Donaldit, pasi puthja me Borën u nënkuptua si një hap drejt ribashkimit të tyre.

Kritika pati edhe ndaj këngëtares Ramosaj, e cila sa ishte jashtë shtëpisë e kishte shpërndarë pikërisht momentin e puthjes së Donaldit me Borën, duke thënë se ata ia kujtuan sa e bukur është dashuria.

Einxhel është e vetmja finaliste e cila ka hyrë në shtëpi tri javë pas hapjes së saj. Nga hyrja në shtëpi, ajo është cilësuar si njëra ndër vajzat më inteligjente.

Moderatorja shpesh here është bërë pjesë e debateve të ashpra brenda shtëpisë, me disa prej banorëve.

Pas disa javësh qëndrimi në shtëpi, Einxhel u lidh me Arbër Gumnishtën, djalin nga Kosova, i njohur si Dj Dagz.

Tani është në katërshen e finalistëve, por Einxhel është banorja që është nominuar më së shumti, me gjithsej 14 nominime. Ajo madje u eliminua një herë nga shtëpia, por për fatin e saj të mirë, moderatorja kishte biletën kthyese.

Iliri përveçse debatet e shumta që ka pasur nga fillimi me Donaldin, ai shpeshherë herë ka qenë në rolin e protagonistit në sfidat e “Vëllai të madh”.

Po ashtu është banori më i pëlqyeri nga votat e publikut në televotimet e mbajtura vazhdimisht.

Por, në dy javët e fundit është vërejtur një pasivitet i tij pasi u zgjodh finalisti i parë i këtij reality-show, e që në sytë e publikut është parë si konkurrenti më i pjekur brenda shtëpisë.

Të katër finalistet do të marrin 10 mijë euro shtesë pasi që kanë pranuar për vazhdimin e programit deri në muajin shkurt, duke mos i harruar edhe dhuratat e tjera që kanë marrë nga produksioni.

Pra, të premten më 18 shkurt do të mbahet finalja e këtij formati që u shndërrua edhe në temë diskutimesh edhe ne kafene.